Pendarovski cakton takim liderësh, do të shqyrtohet mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve

Partitë më të mëdha politike janë të një mendimi se lufta ndaj virusit korona është më e rëndësishme se zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ne një takim te kreu i shtetit Stevo Pendarovski ata do të diskutojnë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Nesër në Vilën Vodno do të jem nikoqir i takimit të liderëve të partive parlamentare në vend, LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, PDSH, Besa, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët. Takimin e liderëve e thirra me një pikë të rendit të ditës; mundësinë për shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit 2020, datë që u dakordua nga ana e liderëve të partive në takimin e organizuar në tetor të 2019 pas Këshillit Evropian – u shpreh Stevo Pendarovski, President.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev, kërkon që të gjithë resurset shtetërore për momentin të destinohen për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Në kushte të këtilla, është mëse e qartë se kushtet nuk mundësojnë zbatim normal të zgjedhjeve. Në vend të organizimit të zgjedhjeve tani është e nevojshme që çdo resurs, edhe njerëzor, edhe institucional, të vendoset në shërbim të mbrojtjes së qytetarëve dhe luftës me virusin – tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Mbajtja eventuale e zgjedhjeve, sipas kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, do të rrezikonte shpërndarjen më të madhe të virusit.

Nuk ka asnjë arsye të logjikshme, njerëzore, racionale dhe pragmatike që ata të mos shtyhen sepse për mua, dhe besoj edhe për të tjerët, lufta për pushtet me çmimin e jetës së qytetarëve është e papranueshme. Zgjedhjet do të nënkuptonin hapjen e vatrave të reja të virusit korona. Paramendoni në ditën e zgjedhjeve ku në një vendvotim do të ketë mijëra qytetarë që do të rrethojnë me stilolaps dhe do të kenë kontakt me anëtarët e këshillave zgjedhor – deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nëpërmjet një komunikate, BDI-ja konfirmon se mbështet shtyrjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet dhe fushata janë çështja e fundit në radhën dhe agjendën e prioriteteve tona, për arsye se të gjitha kapacitetet tona njerëzore, intelektuale, institucionale i kemi vënë në shërbim të ngadhënjimit në betejën e përbashkët kundër virusit. Tash, neve na duhet fitore ndaj virusit e jo fitore në zgjedhje – thonë nga BDI.

Liderët për momentin nuk kanë një datë të re për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme. Për anulimin e 12 prillit është e nevojshme mbledhja e Kuvendit dhe shfquzimin e i vendimit për shpalljen e zgjedhjeve. Ndërkohë, edhe për vetë partitë është e paqartë se çfarë do të ndodhë me qeverinë teknike. Detajet pritet të diskutohen në takimin e liderëve. Nga ana tjetër, KSHZ-ja vazhdon procedurat ligjore sipas afateve për organizimin e zgjedhjeve. Afati për verifikimin e listave të kandidatëve për deputetë skadon nesër.

Fatlume Dervishi

Related posts

MPB: Arrestohen 42 persona, nuk respektuan orën policore

admin

Lehtësim i mundur i masave në segmentet më pak të rrezikshme

admin

Një makinë e MPB-së del nga rruga, lëndohen tre persona

admin

Edhe pas gjendjes së jashtëzakonshme, disa kategori të qytetarëve do të lirohen nga puna

admin

Zgjedhjet parlamentare në qershor?!

admin

Këto janë vendimet e fundit që Qeveria i mori në mesnatë

admin