Dialogu Kosovë-Serbi, ndër sfidat e para të qeverisë Hoti

Tri ditë më parë Avdullah Hoti i LDK-së me 61 vota është bërë kryeministër i Kosovës, e sfidë kryesore e qeverisë së tij shihet se do të jetë çështja e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe kthimi në tryezën e dialogut.

Hoti që kishte deklaruar se do ta largonte çdo pengesë që e bllokon dialogun, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, qysh në ditët e para do të përballet me kërkesën për largim të reciprocitetit.

Artan Demhasaj nga “Çohu”, thotë se qeveria Hoti në ditët e para do të përballet me kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që të largohet reciprociteti, i cili do t’i hapte rrugë kthimit në tryezë të dialogut. Ai çështjen e dialogut mes dy vendeve e sheh si një ndër sfidat kryesore të kësaj qeverie.

Sipas tij, ashpërsimi i masës së reciprocitetit ndaj Serbisë në ditët e fundit të qeverisjes së Kurtit është bërë me qëllim politik, që sipas tij, qeveria Hoti qysh në fillimet e qeverisjes të përballet me sfidën e reciprocitetit.

“Qeveria Hoti qysh në ditët e para të saj ka me u përball me kërkesa të themi eksplicite nga ana e faktorit ndërkombëtar për me e heq reciprocitetin dhe me u kthye menjëherë në tryezën e dialogut”, thotë ai.

Demhasaj thotë se qeveria e re do të jetë e obliguar që të largojë reciprocitetit që menjëherë të rikthehet Kosova në dialog.

“Është qëndrimi i cili pritet me ndodh, pra qysh në ditët e para Qeveria Hoti … ka me qenë e obliguar që me e heq reciprocitetin dhe menjëherë me u rikthye në tryezë të dialogut. Madje këto kanë qenë arsyet kryesore të inicimit të mocionit të mosbesimit nga ana e LDK-së për qeverinë në të cilën ata ishin pjesë e saj, pikërisht për shkak të qëndrimeve të kryeministrit Kurti dhe të pjesës së qeverisë që ishte nga LVV që taksa mund të hiqet po duhet të zëvendësohet me reciprocitet. Ndërsa, kërkesat e Uashingtonit ishin që të hiqet taksa dhe të mos vendoset reciprociteti. Madje mos koordinimi i duhur ndërmjet qeverisë Kurti për çështjen e reciprocitetit dhe heqjes së taksës ka ndikuar që LDK të tërhiqet nga qeveria dhe ta inicio mocionin e mosbesimit dhe të shkarkojë qeverinë Kurti”, thotë Demhasaj.

Që dialogu Kosovë-Serbi do të jetë ndër sfidat kryesore të qeverisë Hoti e thotë edhe Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Kjo pa dyshim që do të jetë njëra ndër sfidat kryesore, kjo meqenëse nuk kemi koordinim të brendshëm politik, jo vetëm përmes partive po edhe nëpërmes institucioneve që e udhëheqin vendin dhe kryesisht kjo do të na shpaguhet në kuptimin negativ të fjalës. Meqenëse në momentin që ne spo kemi koordinim të brendshëm nuk po arrijmë ta mbrojmë pozicionin tonë tek bashkësia ndërkombëtare, ndërsa Serbia me anë të lobimit të saj të fuqishëm po arrin që ta kthejë bashkësinë ndërkombëtare drejtë interesave të tyre. Prandaj, mungesa e promovimit të qëndrimit të Kosovës dhe nevojës për masa të tilla do të thotë po ndikon në gjithë procesin jo vetëm të dialogut, mirëpo edhe në procese të tjera”, thotë ajo.

Edhe sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, qeveria qysh në ditët e para të punës do të ballafaqohet me kërkesën për heqje të reciprocitetit.

Ai thotë se çështjet që ndërlidhen me dialogun kanë qenë sfida kryesore për disa nga qeveritë e fundit në vend, e që sipas tij de fakto kanë qenë edhe arsye pse ato qeveri janë rrëzuar.

“Çështjet që ndërlidhen me dialogun apo çështjet të cilat e kanë bllokuar procesin e dialogut kanë qenë jo vetëm sfidat kryesore të disa prej qeverive të fundit në vend, por kanë qenë de fakto arsye qe kanë quar edhe në rrëzimin e tyre. Pa dyshim që çështja e dialogut, përkatësisht heqja e reciprocitetit do të jetë një nga masat kryesore me të cilat do të ballafaqohet qeveria. Mirëpo, unë pres që një gjë e tillë të has në kundërshtim të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në bazë të asaj çfarë kemi parë është duke e shtyrë fuqishëm përpara idenë që Kosova duhet të sillet në mënyrë krejtësisht reciproke me Serbinë, pavarësisht kërkesave të faktorit ndërkombëtar për heqjen e barrierave”, thotë Cakolli.

Ai thotë se çfarë do vendimi i qeverisë për reciprocitetin do të prodhojë polarizim në politikën kosovare, pasi sipas tij edhe në Kuvend edhe në diskursin publik do të ketë akuza të shumta mes palëve.

Ashpërsimin e masave të reciprocitetit nga qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti e kishte kundërshtuar edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, ndërsa i zhgënjyer me vendimin ishte deklaruar edhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajcak.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti më 31 mars kishte marrë vendim për heqjen e taksës 100 përqind për mallrat serbe dhe vendosjen e dy masave tregtare të reciprocitetit. Ndërsa, në fillim të kësaj jave ka ashpërsuar masat e reciprociteti, ku çdo maunë që hynë në Kosovë duhet të ketë të shkruar në dokumente “Republika e Kosovës”. Ndërkohë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në nëntor të vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte vendosur taksë 100 përqind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Related posts

Haziri krenar me Agim Veliun: Nuk e ndalën plumbat, e lërë më akuzat e ulëta të militantëve

admin

​BERZH ndan 1.7 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor

admin

Dy raste të reja me koronavirus në Kosovë, shkon në 63 numri i të prekurve

admin

Gashi, Kurtit: S’mund të veprosh krye në vete, ose mundesh – por pastaj shkarkohesh

admin

‘Dridhet’ Greqia/ Problemit të Koronavirusit i shtohet edhe Tërmeti, 233 km larg Tiranës

admin

Këshilltari i Presidentit: Thaçi i “bëri” deputet gjysmën e Kuvendit

admin