Vazhdon kriza politike, pavarësisht që javët në vijim janë më kritike për luftimin e coronavirusit

Derisa nga zyrtarët shëndetësor në vend është deklaruar se javët në vijim janë më kritike dhe kanë bërë thirrje për respektimin e rekomandimeve në mënyrë që pandemia COVID-19 të kalojë me pasoja minimale, dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vazhduar kritikat në drejtim të njëra-tjetrës.

Edhe në ditën kur Kosova pati rastin e parë të vdekjes si pasojë e coronavirusit partnerët në koalicion kanë vazhduar me kritika të ashpra.

Lidhja Demokratike e Kosovës një ditë më parë ka shprehur shqetësimin e thellë rreth situatës pandemike në Kosovë, si pasojë e coronavirusit, teksa konstatoi përgjegjësinë e kryeministrit Albin Kurti dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje për shkaktimin e krizës politike.

“Kryetarët e Degëve presin nga përfaqësuesit tonë në Qeveri dhe Kuvend që të përfaqësojnë LDK-në dhe politikat e saj me dinjitet dhe ta mbrojnë legjitimitetin që e kanë marrë përmes votuesve tanë. Për LDK-në, partneriteti me SHBA dhe aleatët është jetik për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të LDK-së.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka reaguar pas përplasjeve të Vetëvendosjes dhe të LDK-së, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të tregojë nëse ai qëndron prapa gjithë kësaj.

Abrashi ka plasuar në Facebook disa prej komenteve të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë sulmuar verbalisht kreun e LDK-së Isa Mustafa për shkak të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike, Agim Veliu.

Sipas tij, LDK-ja dhe kryetari Mustafa kanë ofruar mundësi bashkëpunimi me VV-në, por që ‘nuk mund të kërkohet unitet e tolerancë, nga ata që bëjnë kërcënime, linçime, shpallje tradhtarësh, sulme fizike ndaj gazetarëve, dhe fushata denigruese në rrjetet sociale ndaj personaliteteve politike dhe shtetërore’.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, ka reaguar pas mocionit të mosbesimit, duke thënë se është pikërisht LDK-ja, partneri i koalicionit qeverisës, që ka nisur fushatën kundër Qeverisë Kurti në pajtim të plotë me PDK-në.

Përmes një shkrimi në Facebook,  ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi po përdoret për të ndarjen e vendit, andaj i bën thirrje LDK-së që të mos përsërit gabimin sikur në rastin e zgjedhjes së presidentit.

“Pse LDK me instruksione t’u bashkohet zërave të PDK, nuk e kuptoj. Shteti dhe qytetarët kanë dy rreziqe sot, njërën nga ndarja e vendit dhe tjetrën nga COVID-19. As e para e as e dyta nuk luftohen duke përkrahur qëllim-këqijtë dhe ata që e kanë sjellë vendin në këtë situatë. Në vend se të fokusohen të gjitha energjitë në drejtim të luftimit të pandemisë një pjesë e LDK ka filluar fushatë kundër Qeverisë Kurti në pajtim të plotë me PDK”, shkruan Abazi.

Për më tepër, ai shkruan se ‘me gjendjen e jashtëzakonshme dhe planin e Thaçit do të humbasim territor dhe funksionimin e shtetit tonë’.

“Më vjen keq, por dikush që është mashtruar disa herë: në nënshkrimin e asociacionit të komunave, demarkacionin me Malin e Zi, zgjedhjen e Thaçit president dhe që tani kur është e qartë se çfarë është motivi i tij me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nëse nuk ndihmon dot, së paku nuk do të duhej të dalë në anën e atij dhe atyre që kanë tradhtuar interesin e vendit shumë herë”, pohon Abazi.

Ndryshe, në tërë këtë situatë, me krizë politike pavarësisht pandemisë COVID-19, me qëllim të parandalimit të përhapjes më të madhe të coronavirusit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka rekomanduar marrjen e masave shtesë.

Këto masa pritet të bëhen sot të ditura. /Telegrafi/

Related posts

4 skenarët e mundshëm nëse rrëzohet qeveria Kurti

admin

Kosovë, një viktimë dhe 31 raste të reja me koronavirus

admin

Kurti zhvilloi bisedë telefonike me përfaqësuesit e Sanxhakut

admin

Rama: Nga java e ardhshme nisim lehtësimin e lëvizjeve

admin

​Heqja e tarifës për lëndën e parë, hynë rreth 150 kamionë nga Serbia

admin

Covid-19, Thaçi falënderon Erdoganin

admin