Optimizmi shëron ndërsa paniku dhe pesimizmi vret

Nga Anila Bashllari, trajnere


Sapo i isha afruar një farmacie për të pyetur për maska spitalore kur shikoj një djalë rreth 10 vjeç, tip buçko, që po dilte me vrap dhe merrte frymë me zor. A kishte solucion për duart tek marketi? Më pyeti me frymëmarrje të shpejtë ndërsa hodhi sytë tek çantat që mbaja në duar. Iu përgjigja me kokë dhe i thashë të mos vraponte se mund të gjente në market. Pa mbaruar unë fjalët djali ishte bërë “erë” edhe ashtu boluc siç ishte. Unë sapo i kisha blerë 5 shishe të vogla dhe mendova që mos ndoshta duhet të kisha marrë më shumë. Dëgjova që pas disa orësh askund nuk mund të gjeje higjenizues dhe alkool për duart. Duke ecur po mendoja se sa frikë kanë filluar të ndjejnë përsëri fëmijët, duke marrë në konsideratë edhe atë çfarë kaluan ditët pas tërmetit.

Ky fragment, por edhe çfarë dëgjoj çdo ditë më shtynë të shkruaj këtë artikull, për t’ju ndërgjegjësuar sadopak se në çfarëdo situate që të jemi, paniku dhe pesimizmi nuk na shërbejnë. U përpoqa ta mbaj artikullin sa më të shkurtër që të mund ta lexojë kushdo, por e kuptova që ishte e pamundur pasi më duhej të trajtoja disa koncepte të rëndësishme. Dhe nëse vërtet jeni të interesuar për shëndetin tuaj dhe të familjes do ju sugjeroja ta lexoni deri në fund artikullin. Nëse nuk do të mësoni diçka të re, jam e bindur që do ju shërbejë si kujtesë për ato që dini, por shpesh i harroni.

Le të fillojmë me optimizmin: Optimizmi është një cilësi e mbijetesës, e cila vërehet pothuajse tek të gjithë mamalët dhe zogjtë. Po ashtu dhe për njerëzit konsiderohet si një nga faktorët kryesorë për jetëgjatësi dhe cilësi jetese. Sipas profesor Herbert Benson, në Universitetin e Massachusett, kur ndihemi optimist aktivizohen 1200 gene antistres. Me fjalë të tjera, kur jemi optimistë kemi një sistem imunitar më të fortë dhe si pasojë më të shëndetshëm.

Por, çfarë po ndodh këto kohët e fundit? Një dozë e lartë paniku, frike dhe pesimizmi po ndikon shumë më tepër se vetë rreziku nga Coronavirus. Pse e them këtë?

Kur jemi pesimistë përveç se ndikojmë në jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës, dëmtojmë edhe aftësitë konjitive të trurit, memorien dhe të mësuarit. Po ashtu edhe paniku: ul aftësinë e të menduarit logjik pasi është marrë peng nga pjesa primitive e trurit që funksionon në situata mbijetese. Rezultati: ndjejmë frikë të vazhdueshme për çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Por çfarë është frika? Çfarë ndikimi ka në jetën tonë dhe a mund ta menaxhojmë atë?

Kur lindim, ne nuk e njohim frikën deri në momentin që përjetojmë eksperiencat e para me botën dhe fillojmë të mësojmë, të krijojmë modele të të menduarit, të cilat na shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Frika është një nga emocionet më të forta që ne përjetojmë dhe ekziston vetëm në mendimet tona. Ajo vjen si rezultat i programimit të trurit të njeriut, që në pjesën më të madhe të kohës fokusohet tek problemet dhe çfarë nuk shkon mirë në jetën tonë. Frika është një projeksion i memorieve të së shkuarës në të ardhmen. Ajo krijohet automatikisht nga mekanizmat mbrojtës të trurit dhe nuk tregon asgjë për realitetin e jashtëm. Është perceptimi ynë mbi realitetin që krijon frikën, jo vetë realiteti.

Nëse do të vëreni me kujdes frikërat tuaja, do të shikoni se shumica prej tyre asnjëherë nuk u bënë realitet dhe pjesa tjetër nuk janë aq të këqija sa menduat se do të ishin në fillim. Mos i besoni mendimet tuaja kur jeni në gjendje paniku! Analizojini me kujdes dhe bëjini pyetje vetes në rastet kur ndjeni frikë.

Nëse doni të zhvishni realitetin tuaj nga frikërat e pabaza dhe të pavërteta, ju sugjeroj që t’ia bëni vetes këto pesë pyetje në rastet kur jeni të frikësuar dhe të paqartë mbi një situatë të caktuar.

  1. A është frika ime e bazuar në fakte reale? Sa i/e sigurtë jam që do të ndodhë pikërisht ajo situatë për të cilën unë frikësohem?
  2. Nëse ndodh pikërisht ajo situatë për të cilën kam frikë, a do të jenë pasojat vërtetë aq të rënda sa i mendoj unë?
  3. A ka ndonjë anë pozitive fakti që unë po ndjej frikë për një situatë të caktuar? A më shtyn ndjenja e frikës që të marr vendime më të mira?
  4. Çfarë tregon kjo lloj frike për mua si person? (Çdo ndjenjë që përjetojmë tregon se çfarë duam dhe nuk duam në jetën tonë. Frika mund të jetë një burim i madh informacioni për të njohur dhe eksploruar më shumë veten)
  5. Nëse kam frikë për diçka, çfarë duhet të bëj unë për të zgjidhur atë problem për të cilin kam frikë. Mendo disa opsione, zgjidhje dhe do të shikosh që frika do të jetë më pak intensive. Sa më shumë zgjidhje të mendosh dhe veprime të ndërmarrësh, aq më shumë dobësohet ajo.

Këto pyetje reflektuese do e qetësojnë trurin tuaj pasi një pjesë e përgjigjeve që do të jepni ju kujtojnë se situata nuk është aq alarmante sa e keni menduar në fillim, por nga ana tjetër do ju ndihmojë të krijoni zakone të reja apo merrni vendime që do t’ju shërbejnë.

Shpesh here në trajnimet që unë bëj me drejtues të niveleve të ndryshme në korporata përmend konceptin V.U.C.A, një koncept që është përdorur gjatë luftës së “ftohë” dhe më pas filloi të përdorej edhe në biznes.

Çfarë nënkupton ky koncept dhe çfarë lidhje ka me situatën që po kalojmë? Më lejoni të shpjegoj konceptin V.U.C.A dhe këndvështrimin tim.

Gërmat V.U.C.A janë shkurtime të fjalëve:

V – Volatile (e Paqëndrueshme)

U – Uncertain (e Pasigurtë)

C – Complex (Komplekse)

A – Ambigue ( Disa kuptimëshe)

Pra, për ta përmbledhur, jetojmë në një kohë të zhvillimit të njerëzimit ku asgjë nuk mund të parashikohet më si më parë; gjithçka është e pasigurt, komplekse dhe që mund t’i japësh kuptime të ndryshme. Ky koncept vlen tashmë jo vetëm në ushtri dhe biznes, por mendoj në shëndetësi dhe aspekte të tjera të jetës. Por, çfarë ndodh me njerëzit në përgjithësi? Janë të papërgatitur për situata të tilla. Arsyeja është e thjeshtë: ndërsa shkalla e informacionit dhe zhvillimi i teknologjisë po arrin majat, truri njerëzor ka të njëjtin funksion si edhe përpara 10,000 viteve kur njeriut i duhej të dilte në natyrë dhe “gjuante” për të siguruar ushqim.

Duket sikur jemi përpara një situate “puzzle” dhe nuk gjejmë dot zgjidhjen. Në të vërtetë zgjidhja është fatmirësisht brenda nesh dhe po përsëri në trurin tonë, aty ku “flenë dhe “zgjohen” frikërat! Ndoshta ju duket si lojë fjalësh, por nuk është e tillë. Zgjidhja është rritja e nivelit të vetëdijes dhe përgatitjes së trurit për të panjohurën. Natyrisht kjo për trurin është e pamundur pasi është programuar të funksionojë brenda zonës së njohur dhe kalon në panik kur shfaqet diçka e re dhe e panjohur. Por, mekanizmi i rregullimit jemi vetë ne, me VETËDIJEN tonë. Natyrisht duke punuar me veten – dhe këtu më duhet të përmend rëndësinë e zhvillimit personal, si një nga themelet e zhvillimit të kapitalit njerëzor.

Nëse nuk do të punojmë me veten do të qëndrojmë në nivelin e koshiencës njerëzore instiktive, që është për të gjithë mamalët, duke përfshirë edhe njerëzit. Por, në këtë nivel të vetëdijes do të ndihemi gjithmonë në gjendje mbijetese, frike dhe paniku. Ne si qenie njerëzore na është dhënë mundësia të përjetojmë nivele të ndryshme të koshiencës, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë dhe njohim më mirë veten dhe realitetin ku jetojmë, por gjithashtu të ndihemi të qetë, në paqe duke pasur një performancë më të lartë dhe efektivitet. Niveli më i lartë i vetëdijes ndihmon në rritjen e aftësive konjitive të trurit, një memorie më të mirë, rrit shpejtësinë e të mësuarit duke rritur fokusin dhe përqendrimin.

Natyrisht ky është një proçes që kërkon kuptim dhe angazhim personal, por rezultatet do jenë ato që do ju bëjnë të qëndrueshëm, të përballoni më mirë situatat e ndryshme me të cilat përballeni dhe mbi të gjitha një nivel kënaqësie dhe vlerësimi për atë që bëni. Eshtë detyra jonë që këtë ta kultivojmë tek fëmijët tanë dhe të rinjtë dhe JO FRIK‎ËN.

Frika është emocion që sikundër e kam përmendur edhe në shkrimet e mëparshme, është reagim ndaj një situate konkrete që po ndodh në moment. Ajo që po përjetojmë ne janë mendimet dhe ndjesitë e krijuara nga situata të mëparshme tonat apo të dëgjuara nga të tjerët të cilat ne i projektojmë në të tashmen dhe të ardhmen.

Frika reale si emocion ndodh kur përballesh psh. me kafshë të egra në xhungël apo gjatë ngjitjes në mal dhe është mekanizmi ynë mbrojtës që na jep sinjalet: t’ia mbathësh me të katra, të ngrish në vend apo të luftosh. Në ditët e sotme frika është bërë kronike. Mjafton një postim i pamenduar në mediat sociale apo TV dhe gjëja e parë që përjetojnë njerëzit është frika. Natyrisht ka një motiv të ndjeshëm, por i gjithë reagimi ndodh në tru dhe shpesh herë i ekzagjeruar dhe jashtë kontrollit tonë.

Duhet kuptuar që sfidat janë të pashmangshme në jetën tonë. Kjo gjë u duhet shpjeguar edhe fëmijëve, por në mënyrë të tillë që ato mos ndiejnë frikë por të mendojnë që janë të pajisur me të gjitha aftësitë për t’ia dalë. Këtu ka shumë vend për të diskutuar dhe do duhej një panel i veçantë këndvështrimesh, por ndoshta një herë tjetër. Vetëm një fjali do të them pasi nuk më rrihet pa e thënë: Sot prindërit bëjnë të pamundurën për shkollimin e fëmijëve dhe kjo gjë është fantastike por nuk i kushtojnë të njëjtën rëndësi përgatitjes së karakterit të tyre për jetën, rritjes dhe zhvillimit të tyre personal.

Mendoj që e vetmja mënyrë për t’i përballuar dhe për t’ia dalë në sfidat e ndryshme në jetë (siç është edhe situata globale me corona virusin) është të ndryshojmë mënyrën e të menduarit mbi situata të ndryshme, dhe jo të ushqejmë dhe rrisim frikën. Mënyra e të menduarit mund të ndryshohet duke krijuar zakonin e të analizuarit të situatave menjëherë pasi fillojmë të ndjejmë frikë. Në vend që vetëm të ndjejmë frikë dhe të terrorizojmë veten, le të fillojmë të analizojmë situatën dhe të gjejmë zgjidhjet më optimale. Mos harroni: pyetjet reflektuese janë antidota më e mirë ndaj frikës, e cila është irracionale dhe në 95% të rasteve nuk ndodh. Duke bërë pyetje e shpërqëndrojmë trurin duke e kaluar nga niveli emocional në atë racional dhe shpesh herë ne e kuptojmë sa irracionalë jemi duke menduar. Kjo ul zërin pesimist të trurit dhe krijon një gjendje qetësie, si dhe ul panikun.

Masat mbrojtëse paraprake janë shumë të rëndësishme në këtë situatë. Higjena personale po ashtu. Ne nuk duhet të presim situata të tilla që t’i kushtojmë rëndësi higjenës, por ta bëjmë një standard në jetën tonë. Dhe kjo është çështje mendësie, vullneti për përmirësim dhe krijim zakonesh të mira. HIGJIENA DUHET TË JETË STANDART KUDO! Ajo personale dhe në familje, shkolla, kopshte, çerdhe, nëpër restorante, qytet etj. etj. Tani duhet kuptuar që ndotja e qytetit është autogol për ne. Prandaj ka rëndësi të edukojmë fëmijët, por në fillim veten tonë që jo vetëm në shtëpi, por edhe në rrugë, vendin e punës, shkolla dhe ambiente të tjera sociale duhet t’i konsiderojmë dhuk mund të shkelësh rregullat dhe të zbatosh raportin ofertë-kërkesë pasi çdo medikament dhe produkt është subjekt i një politike çmimesh të miratuara më parë.

Pa harruar rolin e institucioneve përkatëse kontrolluese dhe ndëshkuese që duhet të jenë vigjilentë për të mos lejuar abuzimet dhe shkeljet që shtojnë më shumë nivelin e panikut për shkak të mungesës së sigurisë dhe kontrollit.

Pa harruar dhe standardin në mendjet e punonjësve të administratës publike që duhet të kuptojnë njëherë e mirë që janë VETËM në shërbim të publikut, sepse paguhen me anë të taksave. Për sa kohë e kanë pranuar atë rol duhet të sillen sipas standardeve të atij funksioni.

Pa harruar rolin e pushtetit qendror dhe lokal në rritjen e sigurisë për qytetarët DUKE RRITUR SHKALLËN E BESIMIT NDAJ TYRE. Ngritja e shtabeve të emergjencës si në situata lufte, pasi lufta biologjike është më e vështirë se vetë lufta.

Pa harruar rolin e medias, që duhet të kuptojë qartë se misioni i tyre nuk janë vetëm fitimet e biznesit duke rritur audiencën e dëshpëruar dhe të konfuzuar në mungesë të sigurisë. Media siç e kam thënë edhe më parë është një nga degët kryesore të lidershipit në edukimin e popullatës.

Neurotip: Në kushtet kur ju kap paniku bëjini pyetje vetes: Është situatë reale që duhet të shqetësohem apo fantazi në trurin tim si pasojë e ndikimit të (Çfarë keni dëgjuar apo lexuar)?

Në atë moment paniku, përsërisni me veten tuaj: “Unë marr frymë në paqe dhe çliroj panikun”. Përsëriteni disa herë derisa të filloni të ndjeni qetësi. Duhet kuptuar qartë që emocionet krijohen në mënyrë të pavetëdijshme në subkoshiencë dhe gjuha e saj është e ndryshme nga ajo e logjikës apo ajo që përdorim në të përditshmen tonë. Kjo frazë është argëtuese dhe qeshni nëse ju bën për të qeshur. E qeshura do ju ulë nivelin e stresit dhe panikut në të njëjtën kohë. A nuk është kjo ajo që duam në fakt në këto momente?

Related posts

Varfëria vret më shumë se pandemia!

admin

Kurti është shndërruar në zvarranik para Lajçakut, e “ujk” kundër Grenellit

admin

Albin Kurti nuk guxon me qenë as i dyshimtë e lëre më “fajtor”

admin

Sylejmani: Hyrja përfundimtare e Maqedonisë së Veriut në NATO, fitore për popullin e kombin shqiptar dhe për Ali Ahmetin

admin